Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit V.C., për vepër penale: Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës, në tentativë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri V.C, më 29.12.2015 së bashku me të fejuarën e tij, L.M., kishin tentuar që t’ i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS në Siri, në atë mënyrë që me datë 29.12.2015 rreth orës 18:30 kishin udhëtuar për në Stamboll-Turqi përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe pas arritjes në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll dhe kontrollit nga ana e autoriteteve turke, të njëjtëve i është refuzuar hyrja në Turqi dhe të nesërmen me datë 30.12.2015 janë deportuar menjëherë nga Turqia për në Kosovë.
Me këtë ka kryer veprën penale: Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës, transmeton Klan Kosova.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprën penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit.