Lajmet e fundit

Një vendim i aplikuar për herë të parë vetëm ndaj ‘Marigona Rezidenc’, ka bërë që Murat Mehës në cilësinë e Kryeshefit të Agjencionit Kadastral të Kosovës, t’i ngritet aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Përveç Murat Mehës, në këtë aktakuzë përfshihen edhe Ismet Kryeziu, drejtor ligjor në Agjencionin Kadastral të Kosovës dhe Nemanja Spasic, shef i zyrës Kadastrale në komunën e Graçanicës.
Në këtë proces, pala e dëmtuar është ‘Marigona Rezidenc’ që pëson një humbje prej rreth 5 milionë eurosh.
Aktakuza është ngritur më 7 nëntor 2016.
Murat Mehës, Ismet Kryeziut dhe Nemanja Spasicit, i është ngritur aktakuzë nga Departamenti për krime të rënda në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas dokumentit që Periskopi e posedon të plotë, aktakuza është ngritur me arsyetimin se ‘të pandehurit në bashkëkryerje duke filluar nga data 26.09.2014, në vazhdimësi kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që Murat Meha, në cilësinë e Kryeshefit të Përgjithshëm të Agjensionit Kadastral të Kosovës, Ismet Kryeziu, në cilësinë e Drejtorit të Drejtoratit Ligjor në Agjenionin Kadastral të Kosovës e kanë penguar të dëmtuarën “Marigona Rezidenc’ në ushtrimin e veprimtarisë së saj, ashtu që të dëmtuarën e kanë vënë në pozitë të pabarabarë në raport me ligjin e zbatueshëm’.