Lajmet e fundit

Aleanca Kosova e Re ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e gazetarit dhe ekonomistit, Ibrahim Rexhepi i cili ka ndërruar jetë sot pas një sëmundje të rëndë.
"Me dhembje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit, kolegut dhe mikut tonë të çmuar z.Ibrahim Rexhepi".
"Përveç veprimtarisë së tij politike dhe kontributit shumëvjeçar në fushën e ekonomisë dhe të gazetarisë në Kosovë, z.Ibrahim Rexhepi do të kujtohet edhe si mik i afërt dhe bashkëpunëtor shembullor në Aleancën Kosova e Re, ndërsa kontributi i tij në aspektin social dhe ndërnjerëzor ishte i jashtëzakonshëm".
Ai kishte lindur në Slivovë të Ferizajt, ndërsa studioi në Fakultetin e atëhershëm ekonomiko – juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ibrahim Rexhepi më 1976 nisi punën në profesionin e gazetarisë në Rilindje, për të vazhduar në “Kohën Ditore”, Kohavision, Lajm, Express,etj.
Ai ishte anëtar i Aleancës Kosova e Re, ndërsa qe disa muaj ushtronte funksionin e këshilltarit për ekonomi në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, transmeton Klan Kosova.