Lajmet e fundit

Ende edhe pas më shumë se një viti nuk ka asgjë rreth zbardhjes së vrasjes së kandidatit për deputet të PDK-së në Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista.
Organet e hetuesisë kishin shpresuar shumë që ditari i Pistës do të dërgonte te kapja e vrasësit të tij, por edhe pas analizimit të këtij dokumenti rezultati ishte negativ.
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija i ka thënë portalit arbresh.info se është duke u punuar që sa më shpejt kjo vrasje të zbardhet.
“Jemi duke punuar, por ende nuk kemi ndonjë person të dyshuar. Kemi shpresuar se dokumenti të cilin e kemi gjetur do të na dërgoj te kryesi i vrasjes, por nuk kemi pasur sukses në atë drejtim dhe kemi vazhduar me hetimet tjera”, është shprehur Bakija.
Sipas saj tash organet hetuese janë fokusuar në zbardhjen e listave të telefonatave të Pistës. Ajo i ka thënë arbresh.info se shpreson se të dhënat e telefonit të Pistës do të dërgojnë tek gjurmët e vrasësit mistik.
“Është kërkuar një ditar i Pistës edhe kemi menduar se ai ditar do të na zbardh krejt rastin, por nuk kemi arritur. Të shohim tash të dhënat e telefonave të tij kur të ndriçohen krejt çka po na japin”, është shprehur kryeprokurorja Bakija.
Kryeprokurorja tha se hetimet nuk do të ndalen asnjëherë deri në zbardhjen e vrasjes.
Ish- drejtori operativ në Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe kandidati i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista është vrarë në ora 00:45 minuta të natës mes 14 dhe 15 qershorit.