Lajmet e fundit

Aktivistja Aida Çoroviq mori një aktgjykim nga Gjykata për Kundërvajtje se ishte fajtore për prishje të rendit dhe qetësisë publike kur hodhi vezë mbi grafitin e të dënuarit për krime lufte Ratko Mladiq në Beograd në nëntor 2021, dhe aktgjykimi e urdhëroi atë të paguante një gjobë prej 100,000 dinarë (850 euro), sipas postimit të saj në rrjetin social Facebook., raporton N1, transmeton Klan Kosova.
Ajo ka shkruar se aktgjykimin e ka marrë të martën dhe se Serbia është bërë “penitenciar dhe kazamat” gjatë qeverisjes së Aleksandër Vuçiqit, ku të gjithë kriminelët, vrasësit dhe “llumrat e çdo lloji” kanë të gjithë mbrojtjen e mundshme, ndërsa të gjithë të tjerët janë mënjanë.
“Kam gjurmuar rrugën time shumë kohë më parë, nuk e dija se sa do të më kushtonte, por nëse mund të kthehesha, gjithmonë do të zgjidhja të njëjtin skenar”, tha Çoroviq.
Sipas saj, presionet nuk do ta dekurajojnë dhe trembin, sepse ata që i bëjnë ato presione më shumë kanë frikë nga njerëzit si ajo, sesa ajo nga ata.
Seanca e parë në këtë proces ka filluar në mars të vitit 2022 dhe më pas Çoroviq ka thënë se nuk ndihet fajtore dhe se në shpjegimin e thirrjes në gjykatë thuhet se “ka shënjestruar objektin dhe ka sharë policët”.