Lajmet e fundit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka vlerësuar pozitive arritjen e marrëveshjes në Maqedoni, që vendi të dalë nga kriza politike.
Gjatë një interviste për “Epokën e re”, ai u ka bërë thirrje liderëve të tjerë, nënshkrues të kësaj marrëveshje, ta respektojnë atë, përndryshe Maqedonia do t’i humbë aleatët e saj, ShBA-në dhe Evropën.
Ahmeti ka theksuar se sa më parë duhet të fillojë zbatimi dhe funksionimi i marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës në Maqedoni.
Kreu i BDI-së nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeveri teknike, duke thënë se ende nuk ka një vendim të prerë se si do të veprohet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Ai ka thënë se shqiptarët në Maqedoni nuk janë të përçarë, edhe pse dikush dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.
Sipas tij, shqiptarët në organet drejtuese në Maqedoni nuk janë dekor, por janë me përgjegjësi të larta për t’i kryer detyrimet dhe obligimet që kanë marrë përsipër me platformën zgjedhore dhe filozofinë e tyre politike.
Ahmeti së ka folur edhe për konfliktin e armatosur në Kumanovë, duke thënë se për këtë çështje duhet të vendosen kontakte të drejtpërdrejta në mes dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe Kosovës, në mënyrë që kjo ngjarje të ndriçohet deri në fund dhe të mos u lihet hapësirë konspiracioneve të ndryshme.