Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dalur në një konferencë për media ku ka sqaruar problemin e tejzgjatur tashmë mes tyre dhe Ministrisë së Financave për blerjen e 51 autobusëve me anë të një kredie lëshuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, njofton Klan Kosova.
Ahmeti ka thënë se ministri, Avdullah Hoti, bashkë me Kryeministrin, Isa Mustafa, po e bllokojnë këtë proces për inate politike dhe ka shtuar se është e turpshme dhe joserioze kjo sjellje e tyre.
“Ne kërkojmë takim tash e sa kohë, por nuk dalin në takim, nënkryetari Dardan Sejdiu kërkon të dal në debat me ministrin Hoti, por ai nuk pranon. Nuk e kuptojmë që si ka mundësi që për inate politike ta bllokojë Qeveria komunën e kryeqytetit të vet. Po dalim shumë jo serioz si Kosovë para BERZH-it”, ka thënë Ahmeti.
Ai i ka quajtur “lojëra të pandershme të ministrit e qeverisë”, arsyetimet e tyre që thonë se vet Komuna i ka fajet për këtë bllokim, pasi sipas një deklarate të ministrit Hotit, kryetari i Prishtinës është dashur ta dërgojë për aprovim çështjen tek Kuvendi Komunal.
“Ministri Hoti pa pikë marre del edhe thotë se gjoja që kemi pasur nevojë ta dërgojmë këtë në nivelin komunal dhe këtë e bënë pas 10 muajsh. Përse nuk e dërgonte më herët kërkesën e tij, ‘ky është neni ky është ligji’”.
“A mund të na tregosh se në cilin nen, në cilin ligj thuhet se Kuvendi Komunal duhet ta aprovojë një kredi të marruar nga Trafiku Urban?”, ka pyetur retorikisht Ahmeti duke aluduar se diçka e tillë nuk ekziston.
“Trafiku Urban e merr kredinë nga BERZH-i dhe kërkon garancion të sovranitetit nga Qeveria e cila duhet ta dërgojë në Kuvend që më pas të ratifikohet me 2/3 si marrëveshje ndërkombëtare”.
“Në momentin kur Trafiku Urban ka kërkuar garancion nga Qeveria ajo është e obliguar të kthejë përgjigje brenda 60 ditëve, por tashmë 13 muaj nuk kemi përgjigje pasi kërkesa u është dërguar në prill të vitit 2015”.
“Ministri i Financave bashkë me Kryeministrin kanë keqpërdorë pozitën zyrtare”, ka thënë Ahmeti në konferencën për shtyp, në të cilën ka qenë edhe nënkryetari Dardan Sejdiu.
http://klankosova.tv/hoti-per-blerjen-e-51-autobuseve-procesin-po-e-bllokon-kryetari-i-prishtines/
klankosova.tv