Lajmet e fundit
Iniciativa Ta pastrojmë Kosovën dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të punojnë në avancimin dhe profilizimin e gazetarëve që shkruajnë për mjedisin.

Tash e tutje iniciativa Ta pastrojmë Kosovën së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës do të punojnë në avancimin dhe profilizimin e gazetarëve që shkruajnë për mjedisin.
Një nismë e tillë po merret në kuadër të aksioneve që është duke zhvilluar gjatë këtij muaji iniciativa Ta pastrojmë Kosovën.
Së fundmi u organizua edhe një trajnim dy ditorë ku morën pjesë rreth 20 gazetarë të medieve të Kosovës.
Pjesëmarrësit u njoftuan me rëndësinë që ka ambienti, projektet që zhvillohen në Kosovë për mbrojtjen e tij, akterët përgjegjës për ambientin dhe rëndësinë e raportimit të medieve për këtë çështje.
Sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, në këtë platformë do të mundësohet një bashkëpunim i mirë ndërmjet gazetarëve dhe të raportohet më shumë për ambientin.
Për këtë platformë dhe për projekte tjera foli edhe drejtuesi i iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën” Luan Hasanaj.
Duke e parë se qasja e përgjithshme e mjedisit reflekton edhe tek mediat, Hasanaj mendon se mund të bëhet edhe më shumë për raportimin e çështjeve mjedisore.
Hasanaj mendon se një trajnim i tillë i mbajtur për dy ditë dhe projektet që po mendohen brenda një periudhe shumë të shkurtër realizimi, është një rast i mirë që të iniciohet diçka ndryshe.
E për këtë arsye drejtuesit e iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën” dhe anëtarët e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës zgjodhën Ulqinin që të zhvillojnë punimet e trajnimit.