Lajmet e fundit
Në qendrën informative të BE-së në Mitrovicën veriore zyrtarisht filloi programi i përbashkët i agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që përfshinë tri fusha: dhunën në baza gjinore, dhunën në familje dhe zhvillimin ekonomik dhe punësimin.

Pas diskutimeve të mbajtura në një tryezë të rrumbullakët më datë 16 qershor në veri të Mitrovicës me më shumë se 80 pjesëmarrës, sot filloi programi në fushat e lartpërmendura në komunat veriore (Mitrovicë veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).
Ky projekt është mbështetur nga qeveria finlandeze me rreth 2 milion euro.
Kjo qasje gjithëpërfshirëse ka për cak të ngritë ndërgjegjen e qytetarëve në veri të Kosovës mbi dhunën në baza gjinore dhe atë në familje si dhe ka për qëllim arritjen e rezultateve më konkrete në sferën e punësimit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
"Puna që ne bëjmë së bashku me qytetarët e Kosovës është se përpiqemi të dëgjojmë se cilat janë nevojat e tyre dhe pastaj të ofrojmë përkrahjen tonë, kjo është qasja që kemi edhe ne në OKB edhe Finlanda”, tha Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për zhvillim dhe Përfaqësues i përhershëm i UNDP-së.