Lajmet e fundit

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, e ka pranuar të hënën, një letër nga drejtoresha e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover ku është konfirmuar se është pranuar aplikacioni i Agjencisë së Akreditimit për Statusin anëtar “affiliate”.
“Kam kënaqësinë t'ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t'i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, thuhet në letrën e drejtoreshës së ENQA-së.
“Në njoftimin që ka marrë drejtori Gashi thuhet se nga dita e sotme Agjencia e Kosovës për Akreditim mund ta përdorë logon e ENQA në të gjitha vendimet dhe komunikimet e saj, brenda territorit të Kosovës por edhe në komunikim ndërkombëtar”.
AKA-ja e ka konsideruar këtë si arritje të jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.
“Vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane. Po ashtu, ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e AKA-së.
“Agjencia e Akreditimit i falënderon për përkrahje institucionet e Kosovës, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, komunitetin e donatorëve, për këtë të arritur të përbashkët”.
“Me vendimin e sotëm Agjencia e Kosovës për Akreditim është vetëm edhe një hap larg për tu bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA”.