Lirika e këngëve të Bob Dylan pa dyshim është e fuqishme dhe përcjellë protestën e pakënaqësinë në një mënyrë të freskët, por ai është tekstshkrues e jo shkrimtar dhe Çmimi Nobel duhet t’i jepet një shkrimtari.
Kështu ka thënë poeti dhe studiuesi shqiptar, Agim Vinca, për Ora e Fundit në Klan Kosova.
Ai është shprehur i befasuar me këtë zgjedhje të Komitetit Suedez.
“Jo vetëm unë, por shumë veta i ka zënë në befasi dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi, një këngëtari të muzikës rok dhe i cili është njëkohësisht edhe një poet siç është Bob Dylan”.
“Ai është autor i teksteve të fuqishme, megjithatë nuk është shkrimtar në kuptimin e plotë të fjalës”.
Vinca ka folur edhe për favoritët e tij për këtë vit.
“Favoritët ishin Ismail Kadare, Haruki Murakami, Adonisi, Philip Roth”, por “komiteti i Nobelit i ka kriteret e veta, politikën dhe strategjinë e vet, dhe jo gjithmonë niset vetëm nga premisat letrare, por ka parasysh edhe rrethanat politike, kulturore, etj”.
Vinca ka treguar edhe për aryset që, sipas tij, po e pengojnë Kadarenë ta fitojë Nobelin.
“Ismail Kadare është një shkrimtar i madh, vepra e tij ka vlerë universale. Ai është shkrimtar botëror i përkthyer mbi 40 gjuhë të botës, por duket se do ta ketë të vështirë për disa arsye, të cilat i dinë ata që i vendosin fituesit”.
“E vërtetë, Kadare ka bërë kompromise me sistemin, por megjithatë me veprën e tij ia ka rrënuar themelet”.
“Por, ka edhe shqiptarë që i shkruajnë komitetit të Nobelit kundër Kadaresë”.
“Megjithatë, unë si shkrimtar e vlerësoj si një ndër 10 shkrimtarët më të mirë në botë”, deklaroi Vinca, njofton Klan Kosova.
klankosova.tv