Lajmet e fundit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka kërkuar anëtarësim e Kosovës në organizatën regjionale për fushën e mjedisit REC, duke dorëzuar kështu notën verbale, por edhe kërkesën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçit.
Këtë kërkesë, ai e bëri me rastin e shënimit të 25 - vjetorit të themelimit të organizatës së mirënjohur ndërkombëtare në fushën e mjedisit “Regional Environmental Center”- REC, që po mbahet në Budapest të Hungarisë, e ku po marrin pjesë mbi 24 shtete, ministra, zv ministra, ambasadorë, këshilltarë, sekretarë shteti dhe kryeshefa ekzekutiv.
Ministri Agani, në fjalimin e tij, ka përmendur të arriturat e Kosovës, në fushën e mjedisit, sidomos në aspektin legjislativ, duke thënë se Kosova në këtë fushë i ka përmbushur direktivat e Bashkimi Evropian.
Ndryshe, REC që nga viti 2001, është njëra ndër organizatat më cilësore në fushën e mjedisit që ka mbështetur MMPH-në, AMMK-në, komunat, ministrinë e Arsimit, etj, në zhvillim të qëndrueshëm dhe edukim mjedisor.