Lajmet e fundit

Afrika e Jugut është e tronditur nga dhuna dhe plaçkitjet për pesë ditë rresht dhe ka më shumë se 70 njerëz të vrarë.
Trazirat më të mëdha në dekadë shpërthyen pas burgosjes së ish-presidentit Jacob Zuma derisa burim zemërimi i qytetarëve është varfëria dhe pabarazia që vazhdon të mbesë edhe 27 vjet pas përfundimit të aparteidit, njofton Klan Kosova.
Protestuesit u përplasën me forcat e sigurisë në disa zona të Afrikës së Jugut dhe plaçkitësit shkatërruan qendrat tregtare.
"Numri i përgjithshëm i njerëzve që kanë humbur jetën që nga fillimi i këtyre protestave ... është rritur në 72", tha policia në një deklaratë.
Shumica e vdekjeve në provincat Gauteng dhe KwaZulu-Natal "kanë të bëjnë me stampedot (turmat) që u krijuan nga incidentet e plaçkitjes së dyqaneve", tha ajo, ndërsa mijëra njerëz vodhën ushqime, pajisje elektrike, pije alkoolike dhe veshje nga dyqanet.
Vdekjet e tjera lidhen me të shtënat dhe shpërthimet e bankomatëve.
Policia tha se 27 vdekje po hetoheshin në provincën KwaZulu-Natal dhe 45 në provincën Gauteng.