Kreu i Këshillit të Aeroporteve Ndërkombëtare të Evropës, Olivier Jankovec, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për një “mungesë sistematike të karburantit të avionëve”, e cila, sipas tij, mund të arrijë në nivele kritike brenda tre javësh si pasojë e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
Në një deklarim publik të publikuar në
media të ndryshme, Jankovec theksoi se kjo situatë paraqet rrezik serioz për sezonin veror të udhëtimeve, duke shtuar se një krizë e tillë mund “të dëmtojë ndjeshëm ekonominë evropiane”, veçanërisht sektorin e aviacionit dhe turizmit, transmeton Klankosova.tv.
Ai u bëri thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa konkrete, përfshirë organizimin e blerjeve kolektive të karburantit për vendet anëtare, monitorimin e vazhdueshëm të rezervave dhe identifikimin e burimeve alternative të furnizimit me karburant, si pjesë e një strategjie të koordinuar.
Në anën tjetër, Task-Forca e Bashkimit Evropian për Energjinë ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston “rrezik i menjëhershëm për sigurinë e furnizimit me naftë dhe gaz” si pasojë e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke vlerësuar se nuk ka nevojë për lirimin e stoqeve shtesë në këtë fazë.
Megjithatë, ky mekanizëm ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme në afat më të gjatë, duke theksuar se “karburanti i avionëve mbetet shqetësimi kryesor”, kryesisht për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe ndjeshmërisë së tregut ndaj krizave gjeopolitike.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.