Lajmet e fundit

Gjinekologu Fehmi Ahmeti, i përfshirë në rastin e abuzimit të së miturës nga Drenasi, është arrestuar pasditen e sotme.
Klan Kosova merr vesh se Ahmeti u arrestua nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.
Ahmeti dyshohet se ka kryer abortin e vajzës , e cila kishte ngelur shtatzënë pas abuzimit sistematik nga zyrtari policor në Drenas, Vesel Veseli. Viktima A.G ishte detyruar ta kryejë abortin në fjalë nga Veseli, kundër dëshirës së saj.
"Pas intervistimit të këtij të dyshuari, të njëjtit më vendim të prokurorit i është caktuar sot në orët e mbrëmjes masa e ndalimit për 48 orë. Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e Inspektoratit Policor është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ndërprerje e palejuar e shtatzënisë” (e paraparë në nenin 184 të Kodit Penal)".
Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur për Klan Kosovën se ky institucion ka autorizim për arrestimin e Fehmi Ahmetit, pasi i arrestuari në fjalë dyshohet të jetë bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale me Vesel Veselin, i cili është zyrtar policor - Hetues Policor në Rajonin e Drenasit.
Me kërkesë të Inspektoratit Policor, zyrtarë nga Inspektorati Shëndetësor kanë kryer sot edhe një inspektim specifik në një ordinancë private mjekësore e cila pas këtij inspektimi është mbyllur për kohë të pacaktuar.