Lajmet e fundit

Arban Abrashi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka thënë se papunësia në Kosovë ka rënë në 26.2%.
Abrashi e ka bërë këtë lajm të ditur duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Më poshtë është shkrimi i plotë i Abrashit:
Dje janë publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore nga ASK-ja për gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe rezultatet janë vërtetë inkurajuese. Sipas Agjencisë së Statistikave, në vitin 2014 papunësia në Kosovë ishte 35.3%, në vitin 2015 ishte 32.9%, ndërsa për këtë vit, deri më tani, del të jetë 26.2%.
Krahasuar me 2014, vetëm dy vite më parë rezulton që këtë vit kemi një rënie impresive të papunësisë prej 9.1 %. Ky rezultat është vërtetë inkurajues sepse tregon një trend të rënies së papunësisë përgjatë tërë vitit 2016 (TM1 2016 27.7%, TM2 2016 26.2%).
Dhe jo vetëm kaq, kjo rënie e papunësisë është më e ulëta në pesë vitet e fundit në vendin tonë. Duke filluar prej vitit 2012 e deri me 2015, papunësia në Kosovë asnjëherë nuk kishte pësuar rënie nën 30%. Viti 2016 shënon herën e parë që papunësia bie nën këtë nivel, duke arritur në 26.2%.
Jemi te vetëdijshëm për problemet tona ende të shumta, por me këtë trend të rënies së papunësisë, me buxhetin që për herë të parë e arrin shifrën prej dy miliardë eurosh dhe me rritjen e përgjithshme të zhvillimit ekonomik në rreth 4%, këto trende pozitive vetëm sa do të vazhdojnë të rriten duke rritur kështu zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve tanë.