Lajmet e fundit

Departamenti i AAK-së për Arsim, së bashku me Grupin Parlamentar dhe strukturat tjera profesionale, kanë analizuar rrjedhat në arsim dhe ka dalë me konstatime sipas tyre të bazuara. Kritikat dhe komentet e tyre për sistemin arsimor në Kosovë, i kanë dhënë kryesuesi i Departamentit të AAK-së për Arsim, Jonuz Salihaj dhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu në një konferencë për media.
Kryetari i departamentit të arsimit në AAK, ka thënë se ky departament do të angazhohej në themelimin e një forumi arsimor gjithëpërfshirës të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare, për të siguruar se Kosova do të marrë vendime të qëlluara politike afatgjate, për të garantuar një sistem arsimor efektiv.
Sipas tyre, insitutucionet kosovare duhet të garantojnë mekanizma efikase për inspektimin e arsimit publik dhe privat dhe duhet të bëjnë rishikimin e procesit të licencimit dhe akreditimit të institucioneve arsimore.
Departamenti për arsim i AAK-së ka shprehur shqetësim për procesin e abuzimit me vende të punës nga disa drejtori komunale të arsimit, duke fshehur normat e orëve për militantët partiakë dhe duke i eliminuar profesionalistët, të cilët po pësojnë për shkak se mendojnë ndryshe nga militantët e partive në pushtet.