Lajmet e fundit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e djeshëm për dënimin e policëve të Kosovës në rastin e keqtrajtimit të rojeve të Vulinit.
Në një kumtesë për media të AAK-së thuhet se këta zyrtarë policorë janë dënuar politikisht për shkak se kanë zbatuar ligjin, duke reaguar në detyrën zyrtare të tyre ndaj njerëzve të armatosur (truprojet) e Vulinit, në vitin 2013.
"Por, për shkak se kanë zbatuar ligjin ndaj këtyre serbëve të armatosur, policët janë dënuar rëndë. Kjo është dorëzim i shtetit të Kosovës ndaj Serbisë dhe ndëshkim politik ndaj policëve".
"Qeveria e Kosovës, e ndikuar direkt prej agjendës politike të Serbisë, duhet të reflektojë në të këqijat që po i bëjnë për çdo ditë e më tepër. Edhe për Asociacionin, edhe për Demarkacionin, edhe për dhunën që po përdorin, por edhe për ndëshkimin politik që i kanë bërë dje policëve".
"Thjesht, Qeveria e Kosovës i la në baltë dhe poshtëroi policët, duke mos u ofruar asnjë lloj mbrojtjeje!", thuhet mes tjerash në reagimin e subjektit politik që drejtohet nga Ramush Haradinaj, transmeton Klan Kosova.