Lajmet e fundit

AAK ka thënë se vlerëson se dështimi i sotëm për zgjedhjen e drejtuesve të OSHP-së, është pasojë e pazareve të paharmonizuara ndërmjet partnerëve të Qeverisë së Koalicionit dhe sipas tyre është dëshmi se kjo Qeveri të vetmin interes e ka vazhdimin e kapjes së shtetit dhe thellimin e fuqizimin e krimit e të korrupsionit.
“Përpjekjet e disa ekponentëve të pushtetit, se si opozita qenka fajtore për dështimin e pazareve të tyre, është një përpjekje e mjerë për të fshehur agjendat klienteliste brenda qeverisë, në përputhje edhe me një marrëveshje të kundërligjshme të bashkqeverisjes” thuhet në njoftimin për media të AAK-së, transmeton Klan Kosova.
Sipas AAK, qytetarët tashmë e kanë kuptuar se plotësimi i kritereve të liberalizimit të vizave dhe agjendave evropiane, është pëng i keqqeverisjes LDK-PDK dhe i interesave të tyre individuale e grupore.
Në këtë komunikatë thuhet se ngjarja e sotme është edhe një dëshmi se ky Kuvend dhe kjo strukturë qeverisëse, e kanë humbur legjitimitetin për përfaqësimin e interesit qytetar dhe shtetëror.