Lajmet e fundit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një deklarate drejtuar mediave ka deklaruar se kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, janë gati të shkatërrojnë gjithçka për t’i mbrojtur pozitat e tyre.
AAK e ka cilësuar si të papranueshme arrestimin e deputetëve Donika Kadaj Bujupi, Pal Lekaj dhe Besa Baftiut, si dhe largimin e deputetëve të opozitës nga pjesëtarët e sigurimit nga salla e kuvendit.
“Ajo që po ndodhë aktualisht në Kuvendin e Kosovës është e papranueshme. Arrestimi i deputetëve, Donika Kadaj, Pal Lekaj, Besa Baftiu si dhe tërheqja zvarrë e deputetëve nga salla e Kuvendit, janë veprime të një shteti policor.
“Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, jemi të tmerruar me skenat e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe me gatishmërinë e krerëve të pushtetit, që të shkatërrojnë gjithçka për të mbrojtur pozitat e tyre”.
Përvec kësaj, AAK është shprehur se në rast të eskalimit të situatës, përgjegjësia bie mbi qeverinë.
“Prandaj përgjegjësit kryesor për çfarëdo eskalimi të mundshëm të situatës, janë ata që sot po luajnë me nervat e me ndjenjat e popullit dhe të opozitës”.