Lajmet e fundit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj fjalëve të kryeministrit Isa Mustafa lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Në të thuhet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë të qartë gjithçka dhe se deklarimet e zyrtarëve të lartë se Asociacioni duhet formuar janë "fontanë dëshirash nga shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës".
“Kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij, duke u gjendur në një situatë të rëndë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e kanë vërshuar opinionin publik me sulme të reja kundër opozitës dhe me modele se si ata do ta zgjidhin apo procedojnë Asociacionin. Mirëpo kjo Qeveri nuk e ka kredibilitetin institucional dhe besueshmërinë qytetare që ta trajtojë me tutje çështjen e Asociacionit”.
“Deklarimet e fundit të zyrtareve qeveritarë, përfshirë edhe ato të Kryeministrit Mustafa, lidhur me atë se si Qeveria duhet të procedoje tutje rreth krijimit te Asociacionit, nuk mund të vlerësohen ndryshe vetëm si një fontanë dëshirash nga shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Kryeministri dhe vartësit e tij, në emër të Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje me të cilat kanë cenuar kushtetutën dhe kanë rrezikuar funksionalitetin e shtetit”.
“Këta njerëz duhet që sa më parë të kthjellohen, të reflektojnë dhe të largohen nga të gjitha përgjegjësitë shtetërore”.
Tutje komunikata vazhdon me pretendimin se vendimi i Kushtetueses e heq nga domeni i Qeverisë themelimin e Asociacionit.
“Pas vendimit të Gjykatës ku kjo marrëveshje është në kundërshtim me kushtetutën në shtatë kapitujt e saj, çështja e Asociacionit nuk mund të jetë më kompetencë e kësaj Qeverie”.
Komunikata përfundon me kërkesën për dorëheqje të atyre që i kanë bërë dëm vendit, njofton Klan Kosova.
“Kryeministri dhe vartësit e tij, përpara se të flasin për opozitën dhe gazin lotsjellës, duhet të japin llogari për shkeljen e kushtetutës dhe dëmin që ata ia kanë shkaktuar vendit”.
“Ai sot duhet të flasë vetëm për dorëheqjen e tij, nëse i ka mbetur sado pak kredibilitet moral e politik”.