Lajmet e fundit

Blerim Latifi, këshilltari politik i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka reaguar karshi mungesës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës.
Latifi ka thënë, për Gazetën Ekspress, se është "hipokrizi kur milionerët e AAK-së flasin për bukën e gojës të qytetarëve të varfër, ndërsa liderët e Vetëvendosjes vuajnë nga dëshira obsesive e majtizmit ekstremist për t’i thënë jo NATO-s dhe SHBA-ve".
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një komunikatë dërguar medieve ata kanë shkruar se "nuk mund të shesin moral këshilltarët e nëntokës politike të pasluftës, hajnat e vjedhjes industriale, blerësit mafiozë të deputetëve dhe Gjykatës Kushtetuese".
AAK shkruan se pozita tenton që me linçime publike politike, të detyrojnë opozitën të përkrahë maskarallëqet që vetë i krijuan.
“Ju, milionerët e PDK-së, krijuar nga vjedhja permanente e buxhetit të shtetit, gëzojeni edhe ndonjë ditë maskarallëkun tuaj filozofik", përfundon reagimi i AAK-së.