Lajmet e fundit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për ndryshimin e kufijve.
AAK i quan këto deklarata tendecioze që dëmton paqen dhe stabilitetin në rajon.
"Pasaktësia dhe qëndrimi tendencioz i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell, lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve, ashtu siç është deklaruar dje në media, është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit, dhe e cilësojmë si qasje destruktive në raport me rolin e tyre si lehtësues në dialogun e udhëhequr nga Amerika për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë ".
Kjo parti tutje në reagim thekson se kufijte janë përcaktuar më 17 shkurt 2008.
"Secila përpjekje për të na rikthyer në një proces të paqartë, të pakornizuar në kohë, dhe pa parime dialoguese, do të jetë kundërproduktive, dhe do të refuzohet fuqishëm nga Kosova dhe populli i saj sikurse në të kaluarën. Të cilët janë të përcaktuar për Kosovën në kufijtë e pavaresisë së 17 shkurtit 2008, ashtu siç na ka njohur shumica absolute e shteteve perëndimore demokratike, në krye me ShBA-në".