Lajmet e fundit

Departamenti i Arsimit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se sistemi arsimor kosovar po ballafaqohet me probleme konstante e që nuk po përmirësohen.
AAK thotë disa shkolla në vend kanë probleme infrastrukturore kurse një shkollë në Fushë Kosovë ka mbetur pa e filluar arsimin parashkollor i cili është i obliguar me ligj.
“Edhe ky vit shkollor ka filluar pa krijimin e kushteve për përfshirjen e fëmijëve në arsimin parafillor, që është i detyruar me ligj, rasti i komunës së Fushë Kosovës është më eklatant por edhe në komunat tjera nuk ka ndonjë përmirësim të gjendjes në këtë sektor”.
“Problemet me infrastrukturën shkollore, objektet e papërfunduara me vite, si gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, apo të përuruara pa plotësuar standardet elementare të ndërtimit, si objekti i gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë, mungesa teksteve shkollore, kabineteve, laboratorëve etj, janë evidentuar edhe në këtë vit shkollor”.
Sipas kësaj partie, kur qeveria ka marrë vendim të nënshkruajë me Serbinë marrëveshjen që themelon Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, përfundimisht e ka lënë anash zhvillimin e arsimit kosovar në mënyrë të unifikuar.
“Qeveria e Kosovës, me nënshkrimin e dokumentit për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, përfundimisht ka hequr dorë nga procesi i unifikimit të sistemit arsimor. Po vazhdon ndërhyrja e Qeverisë në mekanizmat e pavarur të arsimit dhe nuk po respektohet organogrami i aprovuar nga MASHT”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.
Partia e dytë opozitarë në vend po thotë se probleme të theksuara ka edhe në Universitetin Publik të Prishtinës.
“Viti i ri akademik ka filluar me shumë probleme të trashëguara. Në vend që organet qeverisëse dhe ato akademike të mobilizohen për tejkalimin e tyre ka ndodhë e kundërta. Është thelluar kriza në mes të Senatit dhe Rektoratit në universitetin më të madh publik të vendit, Universitetin ‘Hasan Prishtina’ ”.