Të hënën në takim me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën, përpos dy liderëve të koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi, në takim do të jetë edhe një lider i opozitës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kjo është hera e parë, prejse ka filluar rezistenca e opozitës së bashkuar, që në mesin e tri partive opozitare ka qëndrime të ndryshme karshi situatës politike.
Derisa nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, e ka konsideruar takimin me Mustafën e Thaçin te Presidentja si takim kundër protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit dhe filtrim me Qeverinë, Haradinaj ka thënë se tek Jahjaga po shkon vetëm sa për të prezantuar qëndrimin e palëkundur të Opozitës.
Kryetari i AAK-së ka shtuar se “vlerësimet e individëve për qëndrimin tim dhe të AAK-së, në raport me këtë tryezë, i konsideroj ose të ngutshme, ose me agjendë”.
Gazetari dhe analisti politik Halil Matoshi, përgjigjen pozitive të Haradinajt për takimin me Presidenten e sheh si lëvizje për të parandaluar çfarëdo përplasje eventuale në mes të shoqërisë kosovare, por edhe të vet opozitës me perëndimin.
Matoshi mendon se tani ka ardhur në shprehje dallueshmëria në koncept mes partive që përbëjnë opozitën.
“Mendoj se ka dallime konceptuale mes AAK-se së Haradinajt dhe Vetëvendosjes së Kurtit dhe Nisma-s së Limajt. Haradinaj është luftëtar dhe ai e di më së miri se si është bërë lufta për Kosovën dhe si është liruar ajo. Pra Ramush Haradinaj nuk lejon përplasje me ShBA-të dhe me Perëndimin dhe së dyti, ai nuk e dëshiron përplasjen e shoqërisë kosovare, përndryshe lufta e tij dhe e familjes së tij nuk do të kishte kuptim”, ka thënë Matoshi për Klan Kosovën.
Për Matoshin, Opozita ka qenë e bashkuar vetëm nga dy çështje nacionaliste dhe asnjëherë nga një përbashkim konceptesh.
“Opozita e bashkuar - ka qenë e tillë vetëm rreth dy kauzave të famshme dhe etnonacionaliste, Asociacioni dhe Demarkacioni, të cilat janë shtyrë përpara për ta mobilizuar nacionalizmin etnik shqiptar, dhe asnjëherë nuk ka qenë e bashkuar rreth një koncepti të ri qeverisës”.
“Haradinaj dhe Limaj kanë qenë pjesë e Qeverive kosovare dhe nuk kanë ndryshuar gjë në etikën e pushtetit, ndërsa Kurti dhe VV-ja mësyjnë ta ndryshojnë shoqërinë përmes revolucionit e jo pushtetin”, ka thënë Matoshi për Klan Kosovën.
Megjithëkëtë, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, të shtunë në një intervistë për Klan Kosovën ka thënë se edhe nëse nuk shkojnë të tre liderët opozitarë te Presidentja, kjo nuk do të përbëjë kurrfarë ndryshimi brenda opozitës dhe aksionit të tyre opozitar.
Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se shkuarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në takim me Hashim Thaçin e Isa Mustafën nuk ndikon negativisht në Opozitën e bashkuar.
Ofertën e Jahjagës drejtuar liderëve, e ka përkrahur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie. Madje, diplomati amerikan duket se do të jetë edhe pjesëmarrës në takim mes liderëve.
Oferta e Presidentes është përgëzuar dhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian dhe nënkryetarja e këtij institucioni të BE-së, Ulrike Lunaçek.
Kriza politike në Kosovë ka filluar me datën 22 shtator të viti 2015 kur në seancën e Kuvendi të Kosovës, deputetët e opozitës gjuajtën me vezë Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, duke e akuzuar se ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, me Serbinë për Asociacionin dhe me Malin e Zi për Demarkacionin.
Herën e fundit kur ka pasur një takim të përbashkët mes liderëve politikë në Kosovë, Presidentes Jahjaga dhe një ambasadori amerikan, ka rezultuar me largimin e Isa Mustafës nga blloku i atëhershëm opozitar, koalicionin e tanishëm qeverisës, dhe zgjidhjen e krizës gjashtëmujore politike.
klankosova.tv