Lajmet e fundit

“Unë mendoj që tash e dy dekada jam në politikën e Kosovës, e kam ruajtur dhe kultivuar bashkëpunimin me Amerikën dhe shtetet tjera sikur “sytë e ballit”, ky përcaktim i imi nuk do të ndryshojë përkundrazi do të fuqizohet”.
Por kanë qenë NATO dhe Ambasada amerikane në Kosovë, të cilët nuk e kanë përkrahur iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri, njofton Klan Kosova.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin e krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës”.
Stoltenberg, gjatë një bisede telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, ka thënë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.
“Kam biseduar me Hashim Thaçin dhe me Isa Mustafën që t’ua përcjell shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur, pa ndryshime kushtetuese”.
“E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe i bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”.
Edhe Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se është kundër nismës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që transformimi i FSK-së të bëhet duke shmangur ndryshimet kushtetuese.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për nismën për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pa një amendament kushtetues”, thuhej në komunikatën e ambasadës amerikane.
Thaçi të martën me 7 mars, ia ka dorëzuar kreut të Kuvendit Kadri Veseli propozimin për ndryshimin e Ligjit për FSK-së.
Këtë e kishte paralajmëruar me 5 mars gjatë fjalimit të tij për Epopenë e UÇK-së të mbajtur në kazermën e FSK-së "Adem Jashari".
klankosova.tv