Dënimi i fundit me burgim të përjetshëm i Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt, si dhe dënimet ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, e ka rikthyer edhe një herë vëmendjen publike te fenomeni i femicidit në Kosovë dhe nevoja për drejtësi të plotë në rastet e vrasjeve të grave.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim.
Megjithëse dënimet e tilla mund të japin një mesazh të fortë, pyetja që ngrihet është: A mjafton dënimi maksimal për të ndalur vrasësit?
Psikologja Afërdita Hoxha për Klankosova.tv shpjegon se personat që kryejnë vrasje me gjakftohtësi shpesh kanë çrregullime të personalitetit, si psikopati.
Ajo thotë se për këta individë, dënimi i përjetshëm mund të mos ketë ndikim të thellë në ndryshimin e sjelljes së tyre, pasi ata veprojnë pa ndjenja pendimi.
“Personi që kryen vrasje 'me gjakftohtësi', nuk mund ta quajmë narcisist. Këta persona në psikologji shpesh lidhen me tipare të forta të asaj që quhet psikopati ose çrregullim antisocial të personalitetit. Këta persona veprojnë pa emocione, pa ndjenja faji dhe pa pendesë në momentin e aktit. Sa i përket ligjit, këta persona e kuptojnë rrezikun, por në shumicën e rasteve nuk mund të ndalen”.
“Ka prej tyre që kanë frikë nga pasojat personale, si për shembull burgu, por jo nga aspekti moral. Ata kanë vetëbesim të tepruar dhe shpesh mendojnë se nuk do të kapen. Shërimi i tyre është i vështirë, ndryshimi i tyre është sfidues”, tha Hoxha për Klankosova.tv.
Ajo gjithashtu thekson se për gratë që përjetojnë dhunë, dënimi maksimal i burrit nuk është shërim i plotë për pasojat psikologjike që ato përjetojnë.
“Te gratë që përjetojnë dhunë, dënimi maksimal i burrit nuk është ajo që i qetëson ato. Ato kanë ndjenja të përziera, thjesht duan që dhuna të ndalojë dhe të mos përsëritet…”, tha psikologja.
Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, duke i dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa për Kushtrim Kokallën është shqiptuar dënimi me 30 vjet burgim.
Pas vendimit, avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj, në një prononcim për Klankosova.tv ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit me burgim të përjetshëm për klientin e tij.
Sa ka gjasa që ky dënim të zbutet në Apel?
Avokati Asdren Bytyqi sqaron se gjithçka varet nga forca e argumentimit të shkallës së parë.
“Nuk mund ta parashikojmë në kuptimin e probabilitetit se sa ka gjasa që të zbutet ky vendim. Varet nga si do të argumentohet dhe do të arsyetohet aktgjykimi nga ana e gjykatës së shkallës së parë, pastaj se sa është e aftë mbrojtja e të pandehurve që të gjejë ndonjë metë procedurale, ose materiale mbi kontradiktat eventuale ndaj ndonjë prove të rëndësishme që gjykata e Apelit mund ta vlerësojë si të rëndësishme dhe ta kthejë procesin në rigjykim”, tha Bytyqi.
Për avokatin, dënimi maksimal në këtë rast nuk lidhet domosdo me faktin se viktima ishte grua, por me egërsinë e krimit.
“Unë nuk besoj që kjo vrasje është bërë pikërisht për faktin se ajo ishte grua. Mendoj se kjo vrasje është bërë për motive më të ulëta, mundësisht njëfarë urrejtjeje ndaj një gjinie që është më e dobët dhe më e ndjeshme, siç është një grua në këtë rast. Mendoj se rrethanat janë ato që kanë qenë përcaktuese për dënimin me burgim të përjetshëm dhe jo domosdoshmërisht fakti që është vrarë një grua”, vijoi ai.
Por, a po dështon ligji te dhuna në familje?
Avokati Bytyqi mendon se dënimet janë të rënda, por parashikimi është i vështirë.
“Nuk mendoj se po dështojnë ligjzbatuesit dhe gjyqtarët sa i përket dënimit për dhunë në familje. Mendoj se dënimet janë më të rënda nga sa do të duhej të ishin për çështje të tilla, por gjykata jo gjithmonë mund të parashikojë veprimin e ardhshëm të kryesve të veprave të dhunës në familje, që mund të rezultojnë edhe me vrasje. Andaj, gjykata me vendimet e saj është duke i mbrojtur gratë më shumë se sa kurdo në të kaluarën e Kosovës, pavarësisht se numri i vrasjeve të grave është në rritje”, tha ai.
Aktivistja Rita Behadini thekson se gratë shpesh kanë një mosbesueshmëri të thellë ndaj institucioneve shtetërore, sipas saj veçanërisht kur bëhet fjalë për denoncimin e dhunës.
Dënimi me burgim të përjetshëm, për Behadinin, shihet si një hap përpara, pasi mund të ketë ndikim në parandalimin e vrasjes së shumë grave të tjera, edhe pse nuk mund të kthejë pas jetën e Liridona Ademajt.
“Gratë në përgjithësi kanë një mosbesueshmëri të lartë te institucionet shtetërore kur vjen puna të paraqesin dhunën. Shumë shpesh pikërisht në këto institucione ato diskriminohen dyfish, ju bëhen pyetje të cilat vendosin fajin mbi viktimat ose edhe dërgohen në shtëpi sepse dhuna ende konsiderohet problem privat. Duke pasur parasysh të gjithë këtë, dënimi me burg të përjetshëm shihet si një fitore, e cila mbase nuk arriti të parandalojë vrasjen e Liridonës, por ka potencialin të parandalojë vrasjen e shumë grave të tjera”, tha Behadini.
Ajo shton se: “Kur vrasësit do e dinë që shteti funksionin, nuk do e kenë aq të “lehtë” të vrasin gratë. Duhet pasur parasysh që çështja e femicidit është çështje politike dhe pushteti”.
Nevoja për përfshirjen e grave në organet e drejtësisë
Rita Behadini thotë se burrat dominojnë në shumicën e organeve të drejtësisë, dhe shpesh ata mbrojnë njëri-tjetrin, duke krijuar një barrierë të fortë për gratë që kërkojnë drejtësi.
Ajo thekson se edhe kur gratë arrijnë të çojnë një rast në gjykatë, shpesh gjykatësit mbajnë anën e të akuzuarve dhe dënimet janë të shkurtra, duke lënë pa ndëshkim shumë krime të dhunës ndaj grave.
Për këtë arsye, ajo kërkon përfshirje më të madhe të grave në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ato të ndihen të përfaqësuara dhe të dëgjuara.
“Duhet pasur parasysh që çështja e femicidit është çështje politike dhe pushteti. Burrat janë shumicë në organet e drejtësisë, dhe shumë shpesh ruajnë shpinën e njëri tjetrit. Gratë edhe kur arrinë të dërgojnë rastin deri në gjykatë, gjykatësit mbajnë anën e vrasësit dhe dënimet deri sot kanë qenë minimale. Andaj duhet përfshirje më e madhe e grave në organet e drejtësisë, në mënyrë që gratë të ndjehen të përfaqësuara dhe të dëgjuara. Shteti patjetër ka për detyrë të mbrojë qytetarët, megjithatë gratë shpesh shihen si qytetarë të dorës së dytë dhe jetët e tyre janë parë si më pak të vlefshme”, përfundoi Behadini.
Dënimet me burgim të përjetshëm në Kosovë
Sipas raportimeve të publikuara ndër vite, në Kosovë janë regjistruar rreth 6-7 raste, ku gjykatat kanë shqiptuar burgim të përjetshëm, por jo të gjitha kanë qenë të formës së prerë në çdo instancë.
Disa nga rastet më të njohura ku është shqiptuar burgim i përjetshëm në Kosovë janë:
Naser Pajazitaj: I dënuar me burgim të përjetshëm (2022) për vrasjen e Donjeta Pajazitajt (2015), rast që kaloi nëpër disa procese gjyqësore dhe rigjykime. Pas 7 viteve burg, Naser Pajazitaj u lirua nga Gjykata Supreme.
Dardan Krivaqa: I dënuar me burgim të përjetshëm (2023) për vrasjen e Marigona Osmanit (2021) në Ferizaj, një rast që tronditi gjithë shoqërinë dhe u kthye në simbol të debatit për dhunën ndaj grave.
Nuhi Mavrovqani: I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij në Berivojcë të Kamenicës, por më pas dënimi iu zvogëlua në 25 vjet burgim.
Pjetër Ndrecaj: I dënuar me burgim i përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së mitur (2018) në Gjakovë, por më pas rasti ka pasur zhvillime dhe ndryshime në procesin gjyqësor dhe dënimi i është ulur në 24 vjet e gjashtë muaj burgim.
Edmond Lajçi: I dënuar me burg të përjetshëm (2024) për vrasjen e gruas së tij, Xhyljeta Ukellës në Pejë.
Naim Murseli dhe Granit Plava: Janë dënuar me burgim të përjetshëm (2026) për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt (2023) në Prishtinë.
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.