Lajmet e fundit

Rusia po dërgon grurë nga Ukraina jashtë shtetit, thonë zyrtarët e emëruar nga Rusia në Ukrainën jugore të pushtuar.
Pretendimi - të cilin BBC thotë se nuk ka qenë në gjendje ta verifikojë - vjen pasi zyrtarët ukrainas akuzojnë Rusinë për vjedhjen e rreth 600 mijë tonë drithë dhe eksportimin e disa prej tyre.
Nga ana tjetër, Rusia mohon se po vjedh grurë.
Qasja në grurin e grumbulluar të Ukrainës është bërë urgjente ndërkombëtarisht: miliona tonë eksportohen çdo vit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Por ajo nuk mund të dërgohet tani sepse marina ruse po bllokon portet e Detit të Zi të Ukrainës. Ndërsa Rusia thotë se Ukraina duhet të çminojë ujërat në brigjet e Detit të Zi, në mënyrë që korridoret për të eksportuar grurin të bëhen funksionale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretendojnë se Rusia po përpiqet t'u shesë grurin e vjedhur ukrainas vendeve të goditura nga thatësira në Afrikë, raportoi New York Times.
Në mes të majit, SHBA dërgoi një alarm në 14 vende, kryesisht në Afrikë, se anijet ruse të mallrave po largoheshin nga portet afër Ukrainës të ngarkuara me grurë, raportoi NYT, duke cituar një kabllogram të Departamentit të Shtetit.