Lajmet e fundit
Publicisti dhe analisti politik, Halil Matoshi thotë se deputetët duhet të marrin vendim për themelimin e kësaj gjykate, ngaqë e kundërta e kësaj do të ishte bartja e vendimmarrjes tek Këshilli i Sigurimit.

Kuvendi i Kosovës pritet të përballet këtë të premte me një nga vendimet e mëdha, e që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese për t'i hapur rrugën themelimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte.
Për miratimin e këtyre ndryshimeve, amandamentet e propozuara nga Qeveria e Kosovës duhet të marrin fillimisht dy të tretat e votave nga 120 deputetë sa ka Kuvendi, që llogaritur në numra i bie 80 vota.
Por, njëherësh, Kuvendi duhet të sigurojë edhe dy të tretat e votave të deputetëve të pakicave, që nënkupton 14 vota për nga 20 sa janë gjithsej.
Publicisti dhe analisti politik, Halil Matoshi thotë se deputetët duhet të marrin vendim për themelimin e kësaj gjykate, ngaqë e kundërta e kësaj do të ishte bartja e vendimmarrjes tek Këshilli i Sigurimit.
Matoshi, shprehet i zhgënjyer me pjesën më të madhe të opozitës, e cila është deklaruar se nuk do ta mbështes themelimin e kësaj gjykate.
"Pothuajse të gjitha partitë, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka qenë kategorike nga fillimi për mos votimin e gjykatës, të tjerat kanë qenë për, deri në momentin kur është krijuar koalicioni i ri qeverisës. Kështu që mua më duket se tërheqja nga vota për gjykatën është një inat politik për mos pjesëmarrje në qeveri", ka thënë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.
Partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar publikisht se do ta mbështesin themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, ndonëse deputetë invidual janë shprehur kundër.
Nga PDK-ja, sot nuk kishte një përgjigje, pos asaj që është thënë të premten përmes një komunikate, ku potencohej se ky subjekt politik e mbështet themelimin e kësaj gjykate.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka konfirmuar votën e partisë së tij, por pa hyrë në detaje tjera nëse koalicioni i ka apo nuk i ka 80 votat e mjaftueshme për t'i miratuar fillimisht ndryshimet kushtetuese.
Një rol të veçantë në amandamentimin e kushtetutës do të ketë Lista Serbe, si subjekti që përfaqësohet me 9 deputet në Kuvend.
Javën e kaluar, udhëheqësit e kësaj liste kanë biseduar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.
Aty, sipas mediave në gjuhën serbe, krerët e Listës i kanë dhënë mbështetje themelimit të Gjykatës Speciale.
Edhe analisti Halil Matoshi beson se Lista Serbe po e ndryshon qëndrimin, pasi që ky subjekt politik, sipas tij, deri vonë ka mbështetur themelimin e Gjykatës përmes Këshillit të Sigurimit në mënyrë që të sfidohej tutje sovraniteti dhe shteti i Kosovës.
Por, mbi të gjitha, ai pret që specialja të merr fillimisht mbështetjen e shumicës.
Krahas amandamenteve kushtetuese, pritet që të premten të procedohet për miratim edhe ligji për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, i cili për një kohë të gjatë është negociuar ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Gjykata Speciale do të hetojë dyshimet e supozuara në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, për trafik organesh të disa civilëve serbë nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilat u hetuan më pas nga një Task Forcë speciale ndërkombëtare.
Hetimet përfshijnë periudhën e viteve 1999 - dhe fillimin e vitit 2000.
Selia e Gjykatës Speciale për Krime Lufte pritet të jetë jashtë Kosovës, kurse në përbërjen e saj do të ketë prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.