Lajmet e fundit

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se çështja e Demarkacioni ka marrë fund.
Kështu i është përgjigjur Abazoviq në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës kërkesës së kryeministrit Albin Kurti lidhur me shqyrtimin e demarkacionit.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë ai.
Kurti, para dy muajve, kishte thënë se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës.
“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë".
“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, tha Kurti.
Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës në atë kohë, ka thënë për KlanKosova.tv se askush nuk guxon t'i shmanget marrëveshjes së mirëkuptimit që ishte firmosur atëherë.
"Besoj se Abazoviq i është referuar marrëveshjes së arritur në 2015, e cila me nënshkrimin më pas me arritjen e marrëveshjes së dy presidenteve, Thaçi dhe Vujanoviq, u dakordua që dy shtetet në një të ardhme të afërt të formojnë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare".
"Konsideroj se askush nuk guxon që t'i shmanget asaj marrëveshjeje mirëkuptimi. Qeveria e Kosovës do të duhej që të insistojë që në afatin sa më të shpejtë kohor të fillojnë procedurat për rishikim të marrëveshjes, ashtu siç jemi dakorduar që komisionet ndërshtetërore të fillojnë punën në afat optimal", ka thënë Lekaj për Klankosova.tv.
Ndërsa, opinionisti Gazmir Raci për Klankosova.tv ka deklaruar se nuk është koha e duhur që tani të hapen diskutimet sërish për demarkacionin.
"Kuvendi i Kosovës ka dhënë vendimin për atë marrëveshje krahas asaj marrëveshje dhe një letër mes dy presidentëve në atë kohë edhe sot me punën e grupeve punuese, në qoftë se ka me pasë paqartësi në njërin prej elementeve të asaj marrëveshje me rishiku".
"Natyrisht, shumica parlamentare në qoftë se ka interes me hap këtë çështje mund ta bëjë sepse i ka numrat në Kuvendin e Kosovës, por konsideroj se tash në këtë kohë lufte nuk do të duhej të ishte vendim i menduar mirë për të hapur tema të reja dhe diskutime në kuadër sidomos me aleatët tanë",ka thënë Raçi.
Kurse, analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka pohuar se marrëveshja e demarkacionit është duke u shfrytëzuar për qëllime të brendshme politike.
"Edhe kryeministri Abazoviq edhe kryeministrat e tjerë të Malit të Zi e kanë pasur qëndrimin se kjo çështje është e mbyllur. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve dhe nuk e kuptoj se si mund të mendohet se ka ende ndonjë çështje të hapur".
"Letrat ndërmjet presidentëve sikur atëherë edhe sot shërbejnë për të justifikuat qëndrime të mëhershme politike të disa liderëve politikë por nuk janë ndonjë bazë e qëndrueshme për të ndërtuar ndonjë argument I qëndrueshëm",ka thënë Ibrahimi.
Marrëveshja e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte ratifikuar më 21 mars të vitit 2018 në Kuvendin e Kosovës me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim.
Seanca ishte e jashtëzakonshme dhe ishte zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje asokohe në opozitë kishte tentuar që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës.