Lajmet e fundit

Dita e sotme do ta qartësojë përfundimisht enigmën mbi Gjykatën Speciale. Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot në orën 11:00, ku në rend dite ndër të ka edhe Projektligjin për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuara.
Me këtë rast do të bëhet e ditur nëse ky projektligj do të përcillet më tutje në Kuvend apo jo.
Deputetët e PDK-së, të cilët kanë nënshkruar nismën për shfuqizimin e Speciales (ndonëse kanë thënë se qëndrojnë prapa asaj), kanë bërë të ditur se do ta respektojnë qëndrimin e partisë, cilido që të jetë ai.
Ndërkaq, AAK-ja e Nisma kanë njoftuar se do të votojnë pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale po qe se ky projektligj do të dalë para deputetëve.
Nga ana tjetër, përderisa LDK-ja ka pohuar se do ta bllokojë këtë nismë duke mos marrë pjesë fare në mbledhjen e Kryesisë, lëvizja “Vetëvendosje” duke mos qartësuar nëse do të marrë pjesë apo jo ka thënë se është kundër rrugës që po ndiqet për shfuqizimin e Speciales.
Me këtë rast përfaqësues të këtij subjekti kanë deklaruar se nuk e votojnë këtë projektligj (nëse shkon në Kuvend) pa u plotësuar disa kritere paraprakisht.