Lajmet e fundit

Kryekëshilltari i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.
Ai ka treguar nëse presidenti turk e ka ndërmend të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, dhe nëse pritet që së shpejti të takohet me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Demiri ka treguar edhe qëndrimin e Erdoganit për arrestimin e Hashim Thaçit nga Specialja, në veçanti, dhe gjykatën e Hagës në përgjithësi.
Kryekëshilltari i presidentit turk në këtë intervistë ekskluzive ka treguar edhe nëse do të kërkojnë sërish deportimin nga Prishtina në Ankara të njerëzve të Fetullah Gylenit.
19:11 - Këshilltari i Erdogan: S’ka pasur shkelje në deportimin e gylenistëve
Kryekëshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demir, ka folur për deportimin e gjashtë shtetasit turq nga Kosova drejt Turqisë.
Demiri tha se s’ka pasur asnjë shkelje në procesin e deportimit të gylenistëve dhe se edhe nëse Kosova kërkon diçka të tillë nga Turqia, atëherë njëjtë do të veprojnë edhe ata për Kosovën.
Tutje, Demiri në “Info Magazine” tha se është i informuar se ka kërkesa edhe nga Shqipëria por edhe nga Maqedonia e Veriut për deportimin e anëtarëve të organizatës, siç e quajti ai, terroriste, Feto.
19:09 - Demiri: Mund të ketë takim Erdogan-Kurti-Vuçiq
Turqia dhe presidenti i saj, Rexhep Taip Erdogan, mund të përfshihen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Këtë e ka konfirmuar kryekëshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri, i cili nuk e ka mohuar mundësinë e një takimi Erdogan-Kurti-Vuçiq.
Demiri ka lënë të kuptohet se Erdogan po pret që të shohë se çfarë rezultati drejt marrëveshjes finale mund të çojnë takimet e nivelit të lartë në Bruksel dhe pastaj të përfshihet si ndërmjetësues në dialog.
“Ia kemi shprehur këtë edhe presidentit [Aleksandër] Vuçiq dhe pas vizitës që do të bëjmë në Kosovë, apo ndoshta edhe më herët me krerët e Kosovës. Ne kemi shprehur interesin që të ndihmojmë, mirëpo momentalisht kemi pritur që takimet në Bruksel mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të marrin një përfundim dhe të shohim se deri ku po vijnë me këtë marrëveshje dhe që pastaj të ndërhymë edhe ne që të jemi ndërmjetësues dhe të ndihmojmë në këtë rrugë të marrëveshjes”, ka deklaruar ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.
Kryekëshilltari i Erdoganit për Ballkanin ka treguar se së shpejti pritet që presidenti turk të takohet me kryeministrin kosovar Albin Kurti, derisa ka përmendur takimet e mëhershme me presidenten Vjosa Osmani.
“Kemi pasë takime edhe më herët me presidenten [Vjosa Osmani] edhe në Antalia në Forumin e Diplomacisë dhe pastaj edhe zyrtarisht kemi pritur presidenten në nivel të lartë në pallatin presidencial në Ankara. Kemi pasë me të vërtetë takime të vlefshme shumë për marrëdhëniet e mëtutjeshme mes dy shteteve. Me kryeministrin nuk kemi pasë ende rast të takohemi, por së shpejti do të kemi takim edhe me kryeministrin Albin Kurti me presidentin Erdogan”.
19:03 - Këshilltari i Erdoganit: Kemi garantuar për gjykimin në liri të Thaçit
Kryekëshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri ka thënë se Turqia është ndër shtetet e para që ka garantuar për lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se në rast se gjykata vendosë që Thaçi të gjykohet në liri, në këtë rast ish-kreu i UÇK-së do të qëndronte si mysafir në Turqi.
“Qëndrimi i Turqisë ka qenë çdo herë kundër akuzimit të liderëve të zgjedhur nga populli me zgjedhje demokratike. Mirëpo edhe pse tash nuk mund të përzihemi gjatë procesit gjyqësor, ne si Turqi kemi dërguar edhe garanci në Hagë që në qoftë se caktohet një vendim që gjyqi të vazhdojë në liri, Thaçin mund ta kemi mysafir në Turqi”.
“Prej tyre nuk kemi marrë përgjigje konkrete. Kjo ka qenë dy apo tre muaj pasi filloi procesi gjyqësor ndaj tij”.
“Ishin disa shtete që kishin shprehur këtë dëshirë dhe ne ishim të parët. Kemi filluar me ministrinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Ministrinë e Jashtme. Jemi të parët si shtet që kemi shprehur këtë dëshirë”.
19:00 - Demiri: Dronët Bajraktar mund t’i shiten Kosovës
Kryekëshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri, në një intervistë për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ka folur në lidhje me dronët Bajraktar.
Ai tha se ka shumë kërkesa për këta dronë, si nga ana e Kosovës, ashtu edhe e shteteve të tjera.
“Sa jam i informuar, mendoj qe ka pasur kërkesa edhe nga ana e Kosovës, edhe nga ana e Serbisë, edhe nga ana e Bosnjës dhe Maqedonisë. Të gjithë shtetet kanë kërkuar drona, mirëpo për shkak të kërkesave dhe porosive të hershme gjatë kohë, është i pamundur dorëzimi momentalisht i Kosovës, Serbsië apo edhe shteteve të tjera, sepse janë në rend që presin të porosinin këta drona, por nuk mund të marrin porosi për shkak se janë shumë të angazhuar dhe nuk mund të arrijnë t’i prodhojnë të gjithë Bajraktarët momentalisht”,tha ai.
Mirëpo, ai u shpreh se si Kosova, ashtu edhe shtetet e tjera mund të llogarisin në blerjen e këtyre dronëve, përcjell Klankosova.tv.
“Mund të llogarisë edhe Kosova, edhe të gjithë shtetet mund të llogarisin në blerjen e dronëve”, u shpreh tutje ai.
18:32 - Demiri: Erdogan së shpejti do të vijë në Prishtinë
Kryekëshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri, në një intervistë për emisionin "Info Magazine" në Klan Kosova ka folur për vizitat e Erdoganit në Prishtinë, Tiranë e Shkup.
Ai tha se së shpejti presidenti turk do t'i vizitojë të trija vendet.
"Jam duke e bërë planin ku është i informuar edhe vet presidenti Erdogan që do të bëjmë edhe një vizitë treshe me Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin. Sipas planifikimit që kam bërë do të kemi një vizitë në Tiranë për të hapur xhaminë e re të Tiranës, pastaj vizitë zyrtare, pastaj prej Tiranës në Prishtinë dhe pastaj edhe në Maqedoni, siç e bëmë Beograd, Sarajevë dhe Zagreb, do ta bëjmë edhe Tiranë, Prishtinë, Shkup", tha ai.
Demiri konfirmoi se deri në fund të vitit, Erdogan do ta vizitojë Prishtinën.
"Nuk e kam caktuar datën, ka qenë e planifikuar në këtë muaj, por tani e kemi patjetër ta shtyejmë, por ende nuk e kemi caktuar datën e re. Do të ndodh gjatë këtij viti. Besoj që deri në fund të këtij viti do ta vizitojmë Prishtinën", u shpreh tutje ai.
18:21 - Demiri: Edrogan i quan shqiptarët vëllezër dhe di shumë për Kosovën
Kryekëshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri, ka thënë se Rexhep Taip Erdogan i quan shqiptarët vëllezër.
Në një intervistë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se presidenti turk është hollësisht i informuar për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Çdo herë e kam ditur se me të vërtetë rajonin e do dhe vëllezërit shqiptarë – gjithë rajonin i quan sikur vëllezër”.
“Pasi që jemi njoftuar, më ka pyetur mua se sa i di gjuhët e rajonit. Kur e ka kuptuar se sa i njoh unë gjuhët e rajonit, ai ka shprehur interesin që të bashkëpunojmë së bashku”.
“Erdogan është tepër i informuar. Mirëpo tash që kemi filluar të bashkëpunojmë, kemi pasur biseda të shumta dhe është interesuar hollësisht për të gjithë rajonin duke përfshirë Kosovën dhe dialogun me Serbinë”.
17:59 - Demiri: Me Erdoganin jam njoftuar gjatë studimeve
Shqiptari Sabri Demiri, kryekëshilltari për Ballkanin i presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, ka folur për historinë e njohjes së tij me të parin e Turqisë.
Ai tha se me Erdoganin janë njoftuar gjatë kohës së studimeve, ku tha se edhe familja e bashkëshortes së tij kanë miqësi familjare me presidentin turk.
“Gjithashtu familja e bashkëshortes sime kanë qenë në miqësi familjare me presidentin Erdogan më herët, duke qenë edhe në partinë e mëhershme Refah Parti në Turqi, dhe jemi njoftuar në atë mënyrë ku presidenti Erdogan me interesin e vet që e ka pasur për të gjithë Ballkanin ka shprehur interes që të bashkëpunoj me të", është shprehur Demiri në një intervistë ekskluzive në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai e cilësoi si shumë të rëndësishme pozitën si kryekëshilltar i Erdoganit, teksa shtoi se as që e ka menduar ndonjëherë një gjë të tillë.
“Ne e dimë mirë se prej nga kemi ardhur dhe nuk ishte aspak e mundur dhe s’e kemi paramenduar asnjëherë të vijmë në Ankara me një qeveri apo president lider botëror dhe ka treguar veten në gjithë sferën e politikës si më i suksesshmi në të gjithë botën”, është shprehur Demiri.