Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar letër presidentit Hashim Thaçi ku ka kërkuar sërish që të takohen në mënyrë që t’i bashkërendojnë veprimet rreth politikës së jashtme.
Kurti ka theksuar se prezantimi i Kosovës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë atë.
“Ashtu siç kam shkruar edhe në letrën time të fundit, më datë 13 shkurt 2020, politika e jashtme është ajo që duhet të na përbashkojë neve. Përfaqësimi i Kosovës duhet të jetë sa më i denjë në arenën ndërkombëtare dhe këtë mund ta arrijmë duke qenë të harmonizuar në qëndrimet tona të cilat përveç suksesit do të garantonin edhe zhvillim ekonomik e siguri shtetërore e kombëtare”, ka shkruar Kurti në letrën drejtuar Thaçit.
Ftesa e kryeministrit drejtuar presidentit vlen për sot, derisa ky i fundit ka në dispozicion tri orare për t’iu përgjigjur takimit, njofton Klan Kosova.
Një ftesë të njëjtë – për një takim për t’i bashkërenduar qëndrimet për çështjet e politikës së jashtme – kryeministri ia bëri presidentit edhe para udhëtimit për në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Por, Thaçi kishte udhëtuar drejt Gjermanisë para se të mund t’i përgjigjej kësaj ftese të Kurtit.
Se a do të ketë takim mes tyre ende nuk dihet por një gjë dihet se në orën 10:00 presidenti Hashim Thaçi do të marrë pjesë në dialogun publik “Rruga drejt Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”. Me këtë rast, lansohet raporti për matjen e perceptimit publik dhe dialogun për këtë komision.