Kosova nuk zbaton asnjë skemë sociale apo
përfitime për fëmijët.
Deri më tani, shtesat për fëmijët, zakonisht ishin vetëm premtime zgjedhore dhe me përmbylljen e proceseve zgjedhore, gjithçka kishte përfunduar aty.
Por, së fundmi një grup i deputetëve po kërkon të aplikohen shtesat për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, si një nevojë urgjente edhe për zbutjen e varfërisë te familjet në nevojë.
Në këto propozime fillestare, thuhet se në këto skema do të përfshiheshin fëmijët nga 0 – 16 vjeç.
Sipas organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e fëmijëve, thuhet se në Kosovë rreth 33 për qind e
fëmijëve jetojnë në varfëri.
Po këto të dhëna thonë se mbi 10 për qind e fëmijëve janë të përfshirë në punë, kurse rreth 7 për qind punojnë punë të rënda apo të rrezikshme.
Nismat për aplikimin e shtesave për fëmijët, mirëpriten sidomos nga prindërit.
Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kanë kërkuar disa herë nga ekzekutivi që të rishikohet skema sociale dhe në kuadër të saj, të vendosen edhe shtesat për fëmijë.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi të mërkurën ka dorëzuar një mocion përmbajtjesor në Kuvend për shtesat e fëmijëve të Republikës se Kosovës. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo shpreson se këtë nismë do ta përkrahin të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që me buxhetin e vitit të ardhshëm të fillojë të zbatohet.
Ajo thotë se është llogaritur se nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 500 mijë fëmijë, nga mosha 0 deri në 16 vjeç, me nga 10 deri në 40 euro në muaj varësisht numri i fëmijëve. Sipas një llogarie, Kadaj- Bujupi shprehet se vlera e shtesave të fëmijëve mund të arrijë në tre për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kosovës.
Por, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregojnë se deri më tani kjo temë nuk është diskutuar, pasi që nuk ka pasur ndonjë dokument zyrtar.
Përfitimet materiale për fëmijët ka qenë premtimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sikurse
partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit. Kurse, ish-kryetari i Partisë Demokratike tashmë president i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte premtuar 300 euro për çdo fëmijë të sapolindur, premtim ky që nuk është realizuar asnjëherë.
klankosova.tv