Lajmet e fundit

Sot me fillim të orës 10:00 do të mbahet seanca e tetë konstituive, tentativa e gjashtë për ta votuar kandidaten e VV-së, Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.
Megjithatë, edhe seanca e sotme pritet të dështojë pasi Opozita nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket emrit për kryeparlamentare.
Të hënën, Klankosova.tv ka kontaktuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për të marrë një përgjigje rreth votimit që pritet të ndodhë edhe sot.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku për Klankosova.tv tha se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim.
Njëjtë janë deklaruar edhe nga LDK-ja. Deputetja Hykmete Bajrami për Klankosova.tv tha se nuk ka asnjë ndryshim, madje as nuk do të ketë.
Të njëjtin qëndrim mban edhe AAK-ja. Burimet brenda kësaj partie thanë: “Vazhdon të jetë e njëjtë. Nuk ka ndryshim”.
Pra, skenari do të jetë i njëjtë edhe sot – Kuvendi do të mbetet pa u konstituuar.