05.05.2017 · përditësuar para 3376 dite1 min lexim
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, është pyetur nga gazetarët se a do ta votojë apo jo PDK-ja mocionin për rrëzimin e Qeverisë – qeveri e cila përbëhet edhe nga PDK-ja – por, Kuçi ka refuzuar të thotë se s’do ta votojnë, duke thënë se një vendim të tillë partia do ta merr me kohë, njofton Klan Kosova.
Kuçi në një prononcim për media, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PDK-së tha se “qëndrimi i PDK-së për mocionin do të vijë me kohë”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës shtoi se do të bisedojnë me partnerët e koalicionit dhe do ta shikojnë se si qëndrojnë, “pa i anashkaluar faktet".
I pyetur për deputetët e PDK-së që e kanë nënshkruar mocionin e mosbesimit të qeverisë – Nait Hasani, Shkrui Buja dhe Rafet Rama – Kuçi pohoi se PDK s’është një parti autoritare dhe se vendimi për ta përkrahur mocionin e opozitës është e drejtë demokratike e secilit deputet.
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë mbledhur nënshkrimet e 42 deputetëve dhe i kanë dorëzuar mocionin Kuvendit të Kosovës.
Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovë – 61.
Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.