Lajmet e fundit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se pamjet e protestës së 9 janarit të cilat ishin të rënda dhe të papranueshme, do të shihen më shpesh në Kosovë.
Konjufca, i cili ndodhet në arrest shtëpiak për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se opozita i ka ftuar qytetarët në protesta, por që të jenë të qetë, mirëpo sipas tij, qytetarët tashmë janë zhgënjyer dhe nuk po dëgjojnë më thirrjet për protesta paqësore.
“Pushteti nuk po punon për interesat e qytetarëve, por po punon për hir të vetvetes. Ata i kanë kthyer institucionet e pavarura në shërbim të elitave politike. Në Kosovë ndodh që mos me pas siguri brenda institucioneve të sigurisë, për shembull në polici ku vjedhin provat”, është shprehur Konjufca për Radiotelevizionin e Kosovës.
Sipas tij, numri i protestuesve nga 100 mijë sa morën pjesë në protestën e 9 janarit, pas disa ditësh do të bëhen 200 mijë dhe pas disa muajsh do të arrin në 300 mijë.
“Të gjitha premtimet që i kanë bërë po argumentojnë se qytetari ka mbet i gënjyer, po e shohin që kanë gënjyer për liberalizim të vizave. Thaçit e Adem Grabovcit nuk u duhet liberalizimi i vizave sepse ata rrinë vetëm në aeroplanë”, ka thënë tutje Konjufca.