Rreth 60 për qind e të rinjve kosovarë pritet ta lënë Kosovën pas liberalizimit të vizave për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet perëndimore.
Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë “Disponueshmëria e fuqisë punëtore në Kosovë”.
Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi ka thënë se në bazë të statistikave papunësia në Kosovë është rreth 30 për qind, mirëpo sipas tij, në anën tjetër ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar në profile të ndryshme.
Lah Nitaj, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve ka thënë se tash pas 10 viteve të Kosovës shtet, nuk mund të ankohen për mungesë të legjislacionit, por ka mungesë të profileve dhe cilësi të arsimit.
Synimet e këtij Autoriteti sipas tij janë që deri në fund të këtij viti të bëhen akreditimet e para për shkollat profesionale, për të prodhuar kuadro adekuate të ekonomisë kosovare.
Nitaj ka thënë se është domosdoshmëri që arsimi të trajtohet me prioritet nacional. Mirëpo sipas tij, arsimi progesional ka një kosto të lartë.
Sharon Hart, Presidente e RIT-it, theksoi se duke parë që Kosova është para për liberalzimin e vizave, 60 për qind e të rinjve planifikojnë ta lënë Kosovën, andaj kjo do të jetë sfidë për bizneset.
“Nuk janë vetëm ata që janë të pa punë që dëshirojnë të ikin nga Kosova, por janë të interesuar edhe ata që janë të punësuar me përvojë. Kështu që është një sfidë që do ta pres Kosovën pas liberalizimit të vizave”, ka thënë Hart, raporton KP, transmeton Klan Kosova.
Për këtë ajo ka thënë se duhet krijohet një strategji për të mbajtur punëtorët e kualifikuar, edhe pse do të jetë e kushtueshme, që do të duhet bizneset edhe të ngritin pagat dhe stimulojnë ata.
Edhe pse ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ishte i ftuar në këtë tryezë, ai nuk mori pjesë.