Lajmet e fundit

Vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla së bashku me Kadri Zekën ishin veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare kundër sundimit jugosllav në Kosovë dhe sot bëhen 34 vjet nga vrasja e tyre.
Aktiviteti i tyre politik kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe çlirimi nga pushtuesi, gjë që ka bërë që aktiviteti i tyre të përcillej në vazhdimësi nga strukturat e sigurisë së asaj kohe.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën ka ndodhur më 17 janar 1982 në Untergrupenbach (Gjermani). Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllav dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllav dhe kundërshtarë të pushtetit luftojnë mes tyre.
Vrasja bëri jehonë në ish-Jugosllavi si dhe diasporë aty ku organizohej aktiviteti nga lëvizjet ilegale të kohës për çështjen kombëtare.
Jusuf Gërvalla shquhej si një aktivist politik, poet, këngëtar dhe filozof gërshetim ky që e bënte atë një kolos të rezistencës që përpos guximit dhe vullnetit shquhej për një intelektualitet dhe shije artistike të thellë.
Jusufi ishte edhe poet që i shkruante dashurisë, dashurisë për nënën të cilën e kishte lënë të vetmuar në atdhe madje ai ishte edhe këngëtar i njohur që i këndoi lirisë së vendit.
Në një intervistë për të gazetën berlineze gjermane “Tagishe Cajtunt”, Jusuf Gërvalla sqaron qëllimet e Lëvizjes ilegale dhe etapat e rezistencës, madje Gërvalla tregon fakte për shtypjen e shqiptarëve nën sundimin jugosllav, ai shprehet edhe për qëllimin përfundimtar të Lëvizjeve të asaj kohe.
“Qëllimi jo vetëm i Lëvizjes Çlirimtare, por edhe i të gjitha forcave përparimtare është shkëputje nga Jugosllavia dhe Bashkimi me Shqipërinë Amë,” kishte thënë Gërvalla.