Lajmet e fundit

(Muzeu Etnologjik i Pejës është njëri ndër ekzemplarët më të bukur të shtëpisë së vjetër të tipit asimetrik.)
Kushdo që vjen këtu, do të habitet nga numri i madh prej më tepër se 120 artefakteve që ka mundësi t'i shohë, nga veshjet kombëtare, te veglat e punës dhe armët interesante të cilat tregojnë historinë e bujshme të kësaj zone.
Ç’është e vërteta, muzeu ka qenë shtëpi e shndërruar në konak, pronë e Tahir Beut, që është ndërtuar qysh në shekullit XVIII.
"Këtu mund të shihni edhe stelat nga kohët ilire", thotë Sefer Laiqi, arkeolog në këtë muze, teksa u tregon një grupi gazetarëve, pjesë e projektit "“Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat”, të organizatës zvicerane "SwissContact" edhe për artefaktet tjera.
Projekti në fjalë ka për qëllim promovimin e pikave të rajonit të Pejës, që janë atraksion turistik për ata që vendosin t'i vizitojnë.
Përgjegjësit, bashkë me komunarët, po llogarisin se kjo industri mund t’i sjell zonës rritje të të ardhurave, duke tërhequr edhe "jabanxhinj" nga vendet tjera.
Nëse nuk jeni ngopur me ato që keni parë të Muzeu Etnologjik, mos u dëshpëroni. Peja ka edhe më kësi atraksionesh, brenda vetë qytetit, si për shembull “Çarshinë e Vjetër”, me shatërvan e plot dyqane artizanale.
(Çarshia e Vjetër paraqet një zonë me trashëgimi kulturore, kurse dikur ka qenë qendra e qytetit të Pejës.)
Këtu gjendet kompleksi Okolit dhe afër saj "Çarshi Xhamia", që përfundoi së ndërtuari më 1471 dhe e cila llogaritet të jetë njëra nga objektet më të vjetra fetare të kësaj natyre në Pejë.
Më shumë se kaq, "Çarshia e Vjetër" ruan për vete edhe varret e dy patriotëve të njohur shqiptarë, Ali Pashë Gucisë dhe ikonës Haxhi Zeka.
E ky i fundit nuk konsiderohet kot si i tillë, pasi çdo gjë e tij ruhet me fanatizëm në Pejë.
Kompleksi i njohur si “Mulliri i Haxhi Zekës” ndodhet pak më larg Çarshisë. I ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, mulliri në fjalë ka qenë fabrika e parë industriale e qytetit.
(Mulliri i Haxhi Zekës i përket kohës austro-hungareze dhe ka qenë mulliri i parë në Kosovë dhe regjion që ka pas teknologji të përparuar.)
Pos pejanëve, u ka shërbyer edhe banorëve të Plavës e Gucisë, zona të banuara më shqiptarë që tashmë kanë mbetur nën administrimin e Malit të Zi.
Mulliri ka punuar deri në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, kurse më 1977 u vu në mbrojtje të shtetit si monument historik.
Por, nëse ai u ruajt si objekt, kështu nuk ndodhi edhe me pronat e tij.
"Mulliri ka humbur shumë sipërfaqe, pasi dikur ka poseduar 47 ari e tash ka vetëm 10 sish. Nga kjo hise janë ndarë parcela, që më pas janë kthyer në prona private", thotë Besa Potoqani nga drejtoria për kulturë e Pejës.
Krejt kjo, sipas saj, ndodhi gjatë kohës kur Serbia kishte kthyer pushtetin e saj në Kosovë.
Regjimi i asaj kohe pati mundësi të bëjë kësi shkatërrimesh, por nuk ia doli t'i zhbëjë edhe bukuritë natyrore të rajonit.
Një të tillë e ka hijeshuar dhe e ka bërë më atraktive projekti i Shtëpisë Alpike "Ranch", që solli kuaj për kalërim dhe ushqim të begatë për të interesuarit.
(Kjo pushimore dhe restorant është i vendosur në një nga pikat më të larta të Rugovës. Shtëpia Alpike Ranch është vetëm 2 km larg nga qyteti i Pejës.)
Të çmendurit pas bukurive të kësollojta, që nuk u mjaftuan me kaq, nga këtu mund të mësyjnë Grykën e Rugovës. Nëse duan ta kenë adrenalinën në nivelin më të lartë, ata kanë mundësi të ngjesin lartësitë, përgjatë shkëmbinjve të “Via Ferrata”-s.
(Inaugurimi i Via Ferrata-s është bërë në tetor të vitit 2013 dhe është ndërtuar nga ekspert kosovarë të ndërtimit të shtigjeve të larta.)
"Kjo rrugë është 450 metra e gjatë dhe ka një lartësi pingule prej 200 metra. Ndonëse duket e zorshme, atë mund ta përshkojë gjithkush që ka pak përgatitje fizike", thotë Arian Jusufi nga shoqata alpiniste “Merimangat e Pejës” që organizon ngjitjen në këtë shteg.
Bukuria e radhës është Boga.
(Fshati Bogë i Pejës është ndër atraksionet më të mëdha në Bjeshkët e Rugovës. Ndërtimi më i madh shtëpive këtu ka filluar në vitin 2005.)
Ky fshat i vogël me hijeshi të rrallë, dimër e verë, ofron mundësi për t'u marrë me aktivitete të ndryshme. Tash së fundmi, këtu ka hyrë në modë çiklizmi. Shtigjet për këtë lloj sporti janë të shkurta e të lehta, por edhe të gjata e sfiduese, si ai nga Boga në Pejë, me gjatësi 32 kilometra dhe i cili kalohet për 2 orë e gjysmë, më ndalesa për pushim.
“Vizitorët preferojnë të shkojnë edhe drejt pikave të trashëgimisë kulturore, por edhe kah bukuritë tjera natyrore, si Ujëvara në Radavc e Burimi në Istog”, thotë Erton Deçani nga shoqata “Biçiklistat pa kufij”, e cila lëshon biçikleta për shfrytëzim, për të interesuarit.
(Nga Boga drejt qendrës së qytetit të Pjesë, organizohen aktivitete të ndryshme, një nga to është çiklizmi.)
Por, edhe nëse i keni vizituar krejt këto pika turistike, ju nuk keni parë më të mirën, ende.
"Bukuroshen e Fjetur" e keni të Ujëvara tërheqëse e Drinit të Bardhë, në Radavc.
Shpella që mban këtë emër, 2 mijë e 100 metra e gjatë, u hap pak kohë më parë, jo shumë larg burimit të lumit.
“Galeria më e bukur e kësaj shpelle gjendet në hyrje të saj, janë vaskat apo basenet ato të cilat janë të gjata deri 70 metra, kurse thellësia e tyre supozohet të jetë rreh 4 metra”, thotë Arberita Kollqaku, udhërrëfyese në këtë shpellë.
(Shpella e Radavcit është shpellë tipike e burimeve. Në të janë gjetur shenja të popullimit që nga koha e Neolitit.)
"Dhoma e lakuriqëve", "Porta e elefantit" dhe "Dora e bukuroshes së fjetur" janë veçantitë tjera të shpellës.
Kaq sa u përket bukurive natyrore.
Por jo edhe të mirave historike dhe arkitekturore të Pejës dhe rajonit perëndimor të Kosovës.
Po s'i pe kullat e kësaj zone, nuk ke bërë e as ke përjetuar pothuajse asgjë, faktikisht. Ato janë ikona të Dukagjinit. Dhe ndër më të veçantat është ajo e Osdautajve në Isniq.
(Pjesa më karakteristike e Kullës së Osdautajve është kati i sipërm, ku gjendet Oda e Burrave me të gjitha veçoritë e ruajtura origjinale.)
Kjo kullë dallohet ndër shumë tjerat për lartësinë e saj. Është e vetmja që ka katër kat.
I pari është shndërruar në muze dhe ka 650 eksponate. Të gjitha, nga e para tek e fundit, janë marrë në fshatin ku ndodhet kulla, Isniq.
Shumë kësi shtëpi të moçme shqiptare ka edhe në Junik. Ajo e Ramë Zyberit është ndër më te vjetrat, pasi besohet se ka përfunduar së ndërtuari më 1860.
(Kulla e Ramë Zyberit ka shërbyer si vend i mbledhjes dhe strehimit të personaliteteve të mëdha gjatë historisë.)
Deri tashti, atë e kanë trashëguar pesë breza familjarë.
Së fundmi, në të është hapur një restorant ndërsa shërben edhe si bujtinë.
Kushdo që vjen dhe e sheh, përjeton e shijon atë, por edhe tjerat, kënaqet.
Kjo ka qenë edhe ideja e njerëzve të "Swisscontact", që investuan në promovimin e pikave turistike të zonës.
“Regjioni i Kosovës Perëndimore ka mjaftë produkte turistike, prandaj ne si Siwsscontact po punojmë që këto produkte të shfaqen sa më shumë ndaj vizitorëve potencial shqipfolës”, thotë Edona Kurtolli nga kjo organizate. “Këtë e kemi bërë për t'u treguar vizitorëve potenciale se Kosova ka mjaftë pika turistike.”
Në fakt, deri tashti, me këtë projekt, janë identifikuar 30 pika të tilla.
Ato, pas promovimit që po u bëhet, pritet të shndërrohen në atraksione edhe më të fuqishme turistike.
E kjo, në fund të fundit, nënkupton përfitime ekonomike për zonën e Pejës dhe Dukagjinit Perëndimor.