Lajmet e fundit

Sot është shënuar 27 vjetori i vdekjes së veprimtarit Fadil Vata, për të cilin bashkëpunëtori i tij, Ibrahim Shala, ka thënë që gjithmonë kishte mbrojtur domosdoshmërinë e realizimit të Kosovës Republikë.
Fadil Vata dhe Ibrahim Shala, e shumë të tjerë, ishin organizatorë të lëvizjes ilegale në Suharekë, që më pas kishte marrë përmasa të mëdha.
“Veprimtaria e Fadil Vates do të jetoj përgjithmonë. Fadili rrjedh prej një familje me traditë patriotike, dhe qysh i ri ka krijuar pikëpamjet politike për realitetin dhe pozitën e shqiptareve në ish Jugosllavi. Fillet e para të organizimit ilegal për ne fillojnë në Suharekë, ku organizohet grupi me qëllim të realizimit të të drejtave të shqiptarëve. Udhëheqja politike e krahinës atëkohë e arsyetonte mendimin që çështja e shqiptarëve është e zgjidhur më së miri. Ne vlerësuam që kjo është një demagogji. Ne koordinuam veprimtarinë tonë edhe grupe të tjera në Prishtinë, Ferizaj etj” ka deklaruar Shala, në një intervistë në Ballë Për Ballë të Klan Kosovës.
Pas zgjerimit të veprimtarisë së tyre shumë prej bashkëpunëtorëve të Vatës, duke e përfshirë edhe atë përfunduan të burgosur.
Veprimtarinë politike, Fadil Vata, e kishte vazhduar edhe sa ishte i burgosur, ndërsa Shala ka theksuar edhe intervistat e tij ku kishte folur për nevojën e realizimit të Kosovës Republikë.
“Ndoshta është i vetmi prej të burgosurve politik që ka dhënë intervista nga burgu ku e ka mbrojtur platformën kombëtare dhe nevojën për të realizuar statusin e Kosovës Republikë. Pas daljes nga burgu menjëherë është kyçur në lëvizjen ilegale si Sekretar Politik, ndërsa Afrim Zhitia ishte Sekretar Organizativ. Këta të dy ishin shumë vizionar dhe largpamës” ka thënë Ibrahim Shala.