Lajmet e fundit

Shqipëria që prej vitit 2015 ”pushtoi” vendet e BE-së me kërkesat për azil. Por Shqipëria gjithashtu është bërë rruga e artë për refugjatët që kërkojnë kalimin për vendet e BE-së.
Muaji korrik ka regjistruar numrin më të lartë të emigrantëve klandestinë të kapur në tentativë për të kaluar ilegalisht nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Të dhënat zyrtare mungojnë por burime pranë Policisë së Kufirit në Korçë kanë thënë se nga muaji prilli deri në muajin korrik janë ndaluar rreth 240 klandestinë.
Sipas ”Ora News”, numri i referohet vetëm territorit të qarkut të Korçës pasi gjatë kësaj periudhe emigrantë klandestinë janë kapur edhe në brendësi të territorit, në rrugën drejt Malit të Zi, e më pas vendeve të BE-së.
Grupi i fundit me 13 klandestinë nga Lindja e Mesme u kap këtë të martë pranë fshatit Trestenik. Burime policore thanë se pesë klandestinë janë palestinezë, katër prej tyre irakianë, tre sirianë dhe një maroken, mes të cilëve dy të mitur.
Gjatë procedurave të intervistimit, klandestinët e kapur i kanë deklaruar specialistëve të policisë së kufirit se kërkojnë strehim politik në Shqipëri.
Ata transferohen si të gjithë klandestinët e tjerë të kapur në Qendrën e Grumbullimit dhe Trajtimit në Babrru nga ku një pjesë e tyre rinisin sërish tentativat për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian.