Lajmet e fundit

23 vjet më parë më 6 maj 1997 ra heroikisht Luan Haradinaj.
Ai ra në njërën nga betejat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Kjo betejë disa orëshe me forcat serbe, u zhvillua kur Luani dhe grupi i tij po futeshin në Kosovë.
Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.
Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bie në një pritë të ushtrisë jugosllave.
Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës.
Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.