Abedin Rexha, lindi me 08. 07. 1969 në Vajnik, komuna e Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skenderaj, kurse studimet i vazhdoj në fakultetin Xehtaro-Metalorgjik, në Mitrovicë. Gjatë kohës së shkollimit të mesëm, në Skenderaj ra në kontakt me veprimtarët e ilegales. Asokohe shoqërohej me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët tashmë ishte i organizuar dhe shpeshherë shpërndante edhe trakte e afishe, ku bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesit serbosllavë.
Duke qenë se pushtuesi i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të Abedinit, me 1992, ai merr rrugën e mërgimit. Në vjeshtën e vitit 1996, Abedin Rexha kthehet në Kosovë, i ngarkuar me detyra të caktuara dhe mban takim me komandantin Adem Jashari. Ai hynë e del nga Kosova shumë herë. Me 6 maj të vitit 1997, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodrën, Ramiz Lladrovcin etj, i kalon Alpet Shqiptare.
Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Abedin Rexhën e kishte caktuar Komandant të Brigadës 112 "Arben Haliti", e cila vepronte në Zonën Operative të Drenicës. Gjatë muajve gusht-shtator 199, komandant Sandokani luftoi pa iu trembur syri në shumë fushëbeteja. Dhe pikërisht në kulmin e ofensivave me përmasa të gjera shfarosëse nga forcat serbe, në të gjitha zonat Operative të UÇK-së, e veçanërisht në ZO të Drenicës, më 8 tetor 1998, komandanti Abedin Rexha - Sandokani, vritet në pyjet e fshatit Kllodernicë, të komunës së Skenderajt. Abedin Rexha - Sandokani pas vetes ka lënë bashkëshorten me dy fëmijë: Sokolin dhe Selveten.





