Ylli i ri i Chelsea, Jesse Derry, u detyrua të marrë trajtim mjekësor në fushë pas një përplasjeje të fortë kokë më kokë në zonë.
18-vjeçari po bënte debutimin e tij si titullar në Premierligë për “Blutë” në ndeshjen ndaj Nottingham Forest. Megjithatë, pas një starti të vështirë ku Chelsea u gjend dy gola në disavantazh brenda 30 minutave të para, Derry u përfshi në një përplasje serioze me mbrojtësin Zach Abbott.
Të dy lojtarët u përplasën teksa tentonin të arrinin topin në zonë, duke goditur fort kokat dhe më pas duke rënë në tokë. Gjyqtari Anthony Taylor akordoi penallti për Chelsean pas këtij rasti.
Transmetuesi “Sky” zgjodhi të mos e shfaqte menjëherë përsëritjen e momentit, ndërsa ekipet mjekësore hynë në fushë për ndihmë. Abbott u kontrollua dhe u largua në këmbë, duke u zëvendësuar nga Neco Williams, shkruajnë mediat ndërkombëtare transmeton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, Derry mori trajtim me oksigjen në fushë dhe më pas u largua me barelë, i duartrokitur nga tifozët. Vetëm pasi trajtimi përfundoi, “Sky” transmetoi përsëritjen e incidentit.

Ai u zëvendësua nga sulmuesi Liam Delap, ndërsa skuadra e drejtuar nga Calum McFarlane kërkonte të rikthehej në lojë.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Cole Palmer ekzekutoi penalltinë – rreth dhjetë minuta pasi ishte akorduar – por goditja e tij në këndin e majtë u ndal nga portieri i Forestit, Matz Sels. Në tentativën për të shfrytëzuar rikthimin, Palmer e dërgoi topin jashtë, duke entuziazmuar tifozët vendas, transmeton Klankosova.tv.
Ky dëmtim erdhi në një moment të pafavorshëm për talentin e ri, i cili kishte pasur pak hapësira këtë sezon, kryesisht në ndeshjet e FA Cup ndaj Hull City dhe Wrexham.
Derry është pjesë e përfaqësueseve të moshave të Anglisë dhe është djali i ish-mesfushorit të Crystal Palace, Shaun Derry. Ai iu bashkua Chelseat verën e kaluar nga klubi londinez.
Gjatë këtij sezoni, anësori ka zhvilluar 29 ndeshje me ekipin U21, duke realizuar 12 gola dhe duke kontribuar me katër asistime.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.