Lajmet e fundit

Në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë graduar 128 zyrtarë policorë në gradën rreshter.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni gjatë kësaj ceremonie ndër të tjera tha se përvoja e fituar, aftësitë, trajnimet dhe avancimet e juaja, do t’i mundësojnë institucionit tonë në realizimin e zotimit dhe detyrimit në mbrojtjen e vendit dhe interesave nacionale.
“Ju duhet të jeni mbështetës të fuqishëm të misionit tonë, aktivë dhe përgjegjës, me qëllim që puna juaj të jetë frymëzim dhe shembull për të tjerët”.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni tha Policia e Kosovës me përkushtimin dhe punën e saj të vazhdueshme ka arritur rezultate pozitive dhe për këtë më meritorët janë vetë punonjësit e PK-së.
Gradimit të zyrtarëve policorë i ka paraprirë suksesi që ata kanë treguar në testimet për gradën rreshter në procesin e gradimit të mbajtur më herët dhe përfundimi me sukses i trajnimit “Menaxhimi i Vijës së Parë” në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Zyrtarët policorë të graduar në gradën rreshter do të shërbejnë nëpër njësite të ndryshme të Policisë si mbikëqyrës të vijës së parë, transmeton Klan Kosova.