Lajmet e fundit

A je ndjerë ndonjëherë e nënvlerësuar vetëm pse je grua në futboll? Mundesh me na tregu një rast konkret?
Po, ka pas raste ku kam ndjerë që vetëm pse jam vajzë, nuk më janë dhënë mundësi të njëjta si djemve, sidomos në vlerësimin e aftësive. Ka pas raste ku kam marrë komente nga njerëzit të tjerë, si "ti je vajzë, çka din ti?", "ti je vajzë, s’ke fuqi, je e dobët", "ti je vajzë, s’është futbolli për ty", por besoni që këto fjalë vetëm më kanë dhënë fuqinë më të madhe për të vazhduar dhe për të ndjekur synimet që kam vënë për jetën.
A mendon që në Kosovë trajtohen ndryshe futbollistët e meshkujve dhe femrave? Në çfarë mënyrash?
Po, mendoj që ekziston ende një dallim. Djemtë shpesh kanë më shumë mbështetje financiare, mediatike dhe sociale. Fushat, pajisjet dhe prioritetet i kanë më të avancuara. Ndërsa ne, vajzat, duhet të luftojmë për të fituar respektin që e meritojmë. Po kjo shkelje e vajzave/grave nuk bëhet vetëm në futboll, bëhet në çdo fushë tjetër, mendoj që jemi një gjini e shkelur nga një gjini që nuk ka as më shumë, as më pak.
Kur po i sheh komentet në rrjete sociale për ekipet e vajzave, çka ndien? A i lexon, a i injoron?
Shumicën e komenteve i injoroj, sidomos ato që janë të padrejta ose ofenduese. Por i lexoj edhe disa që vijnë si kritika të ndershme, prej tyre përpiqem të mësoj dhe të përmirësohem.
Pse mendon që shumë vajza hezitojnë me nis futbollin, edhe kur kanë talent? Kush ose çka po i ndal?
Ka disa arsye që ndalojnë vajzat nga futbolli. E para është familja dhe shoqëria – shumë prindër ende nuk e shohin futbollin si “të përshtatshëm” për vajzat. Pastaj është frika nga komentet, gjykimi dhe mungesa e përkrahjes psikologjike. Disa vajza ndihen të pasigurta nga pabarazia gjinore. Një tjetër faktor është mungesa e infrastrukturës dhe mbështetjes financiare për ekipet e vajzave – kur nuk ke fusha, apo orare të rregullta, është shumë e vështirë të motivohesh.
Si ka nisur udhëtimi yt në futboll? Kush të inspiroi për të marrë këtë rrugë?
E kam nisur futbollin që e vogël, fillimisht me shoqëri, pastaj u bë pasion. Inspirimi ka qenë dashuria për lojën dhe dëshira për të qenë në fushë. Gjithmonë kam pasur edhe përkrahjen e familjes, që më ka dhënë forcë të vazhdoj.
Cilat ishin sfidat më të mëdha që ke përjetuar si futbolliste e re në Kosovë?
Sfida kryesore ka qenë të fitoj respektin në një ambient ku shumë pak e marrin seriozisht futbollin e vajzave. Po ashtu, mungesa e kushteve profesionale dhe trajnimet e pamjaftueshme kanë qenë sfida të vazhdueshme. Por sfida më e madhe do ta përjetoj javën e ardhshme, kur si ekip kampione e Superligës 2024/2025 do të përballemi në Ligën e Kampioneve me ekipin e Irlandës së Veriut, Cliftonville. Synimi është të kalojmë grupin dhe të renditemi në grupet më të avancuara, duke shkruar histori për ekipin dhe për shtetin tonë. Më e rëndësishmja është të dëshmojmë se këto janë vajzat/gratë që arrijnë majat, edhe me pabarazi.
A mendon se ekipet tona janë afër nivelit evropian apo ka ende shumë rrugë për të bërë?
Jemi në përmirësim të vazhdueshëm, por ende ka shumë për të bërë. Ka talente të mrekullueshme, por na mungojnë strukturat, investimet dhe përkrahja që kanë ekipet evropiane.
Cilat janë synimet e tua për 2-3 vitet e ardhshme? A mendon për ndonjë transferim jashtë vendit?
Në 2-3 vitet e ardhshme, synimi im është të zhvillohem si lojtare, të përmirësoj aspektet teknike dhe fizike, por edhe të rritem emocionalisht si sportiste. Kam ambicie të luaj jashtë vendit, në një kampionat evropian ku do të mund të sfidoj veten dhe të mësoj nga një ambient më profesional. Një transferim jashtë nuk është vetëm ëndërr, por edhe mundësi për të përfaqësuar Kosovën dhe për të treguar se ne vajzat kemi çka të ofrojmë në nivel ndërkombëtar.
Kur ke pas ndonjë ndeshje katastrofë, si e përtyp humbjen?
Çdo humbje është e vështirë, por përpiqem ta përballoj me reflektim. Por gjithmonë përpiqem të mësoj diçka nga ajo humbje dhe e analizoj çdo gabim, duke punuar aty ku kam pasur mangësi, që të mos përsëriten më.
Mesazhi i Elmedinës për të gjitha vajzat
“Dhe për fund, iu them të gjithë vajzave/grave: Vraponi, mundohuni, sakrifikohuni për çdo ëndërr që e keni, besoni në vete, sepse kemi vlera të mëdha që askush nuk duhet të bëhet pengesë për t’i shfaqur. Mos hesht, bëje, mos u frikëso, lufto, dhe si gjini e butë që jemi, mos e ndalni dashurinë, sepse botës i nevojitet dashuria jonë”.